VIEW FULL VERSION: Link
Subjekti: TRADITAT FETARE
Permbajtja: PECIADA KOSOVARE! Shkruan: Mr. Femi Cakolli, pastor Çka është peciada kosovare? Nuk të duhet shumë kohë sa të dalësh këto ditë kudo nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës dhe syri do ta kapë me dhjetra vetura, me bori të zhurmshme, me muzikë nga kasetofonat, me bërtima, dhe ti kujton se po martohet dikush, ashtu qysh është bërë modë këto vitet e fundit në Kosovë, që shumëkush të martohet me piskama e bërtima të shumta mu qendrave të Kosovës, dhe të duket sikur je në ndonjë katund të para 100 vjete në Kosovë, dhe jo në shekullin XXI, dhe jo në kohën e globalizimit, dhe pra përveç veturave të darsmorve që hipin në dritaret e veturave, ti do të shohësh njerëz që janë çue në këmbë për t’i bërë synet fëmijët. Pra me ua pre pecin siç thuhet me gjuhën e fëmijëve. E more Zot i madh, sa tollovi po shkon këto tri javët e fundit në Prishtinë, Prizren, Vushtrri, Mitrovicë etj. Duke ua prerë atë haletin (pecin) fëmijëve. Gjithë ky rit aq i vjetër patriarkal dhe oriental, si duket burrat kosovarë janë besatue me e ringjallë këtë adet primitivisht. Dhe kur shikohet kjo lloj fryme dhe vetëdije në nivel të Kosovës, s’kam qysh ta thërras ndryshe veç peciada kosovare! A e dini si urohet kur i prehet fëmijës? Familja që ka vendosë të bëjë syneti, apo rrethprerje (kjo është fjalë shqipe, kurse syneti është fjalë turke), fëmijët i dekorojnë me relikte të ndryshme sa të krijohet përshtypja se a je në Anadoll apo në Prishtinë. Në kokë mbajnë lloj kapelash kardinale me tekstin e praruem “Mashallah”, dhe në disa raste të tjera sheh se dikush e merre dhe flamurin tonë kombëtar, dhe pasi që do të çalldisen nëpër rrugët e qyteteve tona ata që bëhen synet, familjarët, akrabaja etj. Pastaj shkohet në shtëpi dhe vjen “xharrahu” (mjeku që e bën synetinë) dhe pastaj ka këngë, pije, dhe njerëzit fillojnë të urojnë: o përhajr-përhajr, ishalla rritet e bahet i madh, shyqyr-shyqyr, gëzim ma të madh s’kena pasë, eh e ke hjek një punë të madhe etj. A jemi ngejali e sevdali apo jemi pak të luejtën! Vërej se prej vitit 1999 ne shqiptarët, nuk e di nën cilat lloj afeksionesh, jemi shumë më të dhënë pas qejfeve, gazmendeve, ahengjeve, gostive e ndejave të ndryshme si kurrë më parë. Eh, dikush do të thotë, po jena lirue, prandaj! Zoti thotë në fjalën e tij se populli që ka festa është i gëzuar. Dhe kuptohet se duhet pasur raste edhe për kremte dhe ngazëllime, por sa punohet, dhe a duhet krijuar çdolloj rasti vetëm sa për ta shfaqur qejfin tënd. Kjo lloj tendence e manifestuar tek ne tash së voni për mua është një dalldisje që buron nga zbrastësia dhe plagët e njerëzve. I shikoni njerëzit si kërcejnë, si flasin dhe si qeshin, dhe ti do të kuptosh se çfarë është përbrenda tyre. Pra, traumat e brendshme të rishtresuara, ndoshta të fjetura për një kohë të gjatë mund të manifestohen edhe përmes këtyre gazmendeve, dhe njeriu sikur të ndjehet pak i liruar, megjithëse kam edhe një shpjegim tjetër! Njeriu do të vallëzojë qoftë ajo edhe syneti sepse përjeton shërim shpirtëror! Se ne si shoqëri kosovare kemi probleme me inferioritetin dhe boshllëkun shpirtëror këtë e kanë edhe të tjerët. Organizimi i jetës qoftë shoqërore apo familjare është pothuajse monotoni, rutinë. Punë s’ka. Para s’ka. Organizim dhe përgjejgësi s’ka. Solidaritet dhe sinqeritet s’ka. Atëherë njeriu, i prirë nga dhuntia e tij natyrore instikticionale që të mbiekzistojë gjithmonë do të kete indikatorë që do të shtyjnë personalitetin që dalë nga kriza përjetuese, pra gjithmonë prirja e tillë synon që së paku ta mjegullojë realitetin dhe të krijojë pseodorealitetin, improvizimin dhe standarde të dyfishta jetësore, që ta krijojë atmosferë të papërgjegjshme dhe dehëse. Njeriu kur këndon ndjehet mirë, sepse ky është një akt i jashtëzakonshëm i tonit tonë. Njeriu ndjehet mirë kur vallëzon, apo kur kërcen, sepse është akt i jashtëzakonshëm i lëvizjeve normale të trupit tonë. Dhe tani, sikur kënga dhe vallja, që përfitohen vetëm në gazmende, këto së bashku stimulojnë emocionet, mirëpo nuk arrihet zeniti që synohet, po nuk u ambientizua edhe mendja përmes pijeve dehëse. Synetia ka filluar me Abrahamin, para 4000 vjetve Vëreni sa herët ka filluar synetia. Çka është synetia? Jo më shumë se prerja rrethore e lafshës së gjenitalit mashkullor. I pari njeri në botë që është synetuar është Abraham Hebreu, plot para 4000 vjetëve. Sipas tri religjioneve monoteiste (judaizmi, krishterimi dhe islami) synetia është e praktikueshme dhe ka vazhdimësi edhe sot. Bazat teologjike të synetisë Kur Zoti e thirri Abrahimin që të bëhej një profet, ai ishte i vjetër, dhe Zoti e urdhëroi për një vepër tepër intime dhe tepër të jashtëzakonshme prej tij. Ai duhej që të bëhej synet, si një shenjë e lidhjes së besëlidhjes mes Zotit dhe Abrahamit, si shenjë që njeriu në fakt duhet ta rrethprejë (synetojë) zemrën nga ligësitë e tij, dhe të ecë në perëndishmëri me Zotin. Perëndia asnjëherë s’kishte thënë se nëse bëhesh i rrethprerë ti do t’i takosh këtij apo atij religjioni. Zoti shikon zemrën dhe jo “pecin”, o njerëz. Qysh u ba synet njeriu i parë Abrahami dhe simbolika e saj biblike? Njeriu me vetëdije të plotë çfarë lloj turpi më të madh mund të ketë? Shpresoj se kjo është ruajtja e organeve gjinitale, qoftë femër apo mashkull. Këtë e shohim madje edhe tek fëmijët shumë të vegjël që vetvetiu pa i mësuar askush fillojnë të turpërohen kur mund të gjenden lakuriq. Tek njeriu nuk ka ndonjë intimitet personal ma të madh dhe ma domethënës sesa organet e tij gjenitale. Kur Zoti kërkoi nga Abrahami syneti, gjithë simbolika e kësaj ishte se ai s’mund të kishte të fshehur ndonjë gjë nga Zoti, se Zotit do t’i takojnë të gjitha intimitetet njerëzore, dhe megjithëse njeriu si personalitet është aq i lidhur me organet e tij, atëherë kjo është arsyeja pse Zoti kërkoi nga Abrahami që pikërisht në gjenitalin e tij, me gjakderdhje, të lidhej besëlidhja përkujtuese me Zotin, që ka gjithmonë kuptimin se kjo besëlidhje është vetëm e imja, më takon mua, tepër intimisht, sikur gjymtyra ime gjenitale. Nuk besoj se ka ndonjë njeri në botë që ka ecë me Zotin ka mund ta bëj një akt më bindës dhe më të vështirë sesa Abrahami. Pse? Ky profet ishte në moshën 90 vjeçare kur u bë synet. Këtë njeri askush nuk e bëri synet, por vetë dora e tij. Ky njeri nuk pati ndonjë mjet të mprehtë për prerje të prepucit, por Bibla thotë se ai përdori guri prej stralli, dhe kështu u bë i rrethprerë. Synetia duhet kryer qysh ditën e tetë të foshnjës Pastaj Zoti e urdhëroi profetin e tij, se të gjithë ata që lindin në çadrën e tij, dhe të gjithë pasardhësit e tij, apo njerëzit tjerë që do të pranojnë këtët gjë, duhet bërë synet qysh ditën e tetë të lindjes së foshnjës. Edhe sot kjo është praktikë hebraike. +shtë shumë interesant pse atje thuhej pikërisht në ditën e tetë, pasi që shkencërisht organizmi i njeriut vetëm pas shtatë ditësh jetë fiton llojin e serumit që do ta mbrojë organizmin e tij nga ndërprerja e gjakderdhjes së plotë. Sot kur bëhet synetia? Megjithëse hebrenjtë vazhdojnë ta mbajnë traditën judaike lidhur me synetinë, kurse myslimanët, që kanë filluar të bëhen synet prej kohës së Muhamedit, fëmijët e tyre i bëjnë synet zakonisht prej moshës 4-12 vjet. Të krishterët hebrenj fillimisht vazhdonin me këtë traditë, por të krishterët johebre nuk vazhduan traditën biblike të synetisë, pasi ata ishin liruar nga kjo gjë në bazë të predikimeve të apostujve të Krishtit. Mirëpo me shfaqjen e kishës protestante në Evropë dhe Amerikë, këta besimtarë në mënyrë personale, pa ndonjë prapavijë pretenduese fetare bëjnë synetinë e fëmijëve të tyre. Madje në Amerikë, shumë të krishterë fëmijët i bëjnë synet po atë ditë që lindin. Edhe Krishti u bë synet Ashtu si çdo hebre që ishte bërë synet, edhe Krishti, qysh ditën e tetë u bë synet, dhe kjo ndodhi së pari nga një kontekst kulturor, por Jezusi erdhi në botë që të jepte shembullin më të mirë dhe të gjallë të bindjes ndaj Perëndisë. Keqkuptimi hebraik mbi synetinë Synetia në botë është shumë e vjetër, sipas Shkrimit të Perëndisë, Biblës, kjo filloi me hebrenjtë, dhe edhe sot ky popull pas 4000 vjetëve bëhet synet. Dhe gjatë kohës së Jezusit, madje edhe më herët, judaizmi i kishte dhënë frymë fariseizmi synetisë. Ata çështjen e rrethprerjes e reduktuan vetëm në një qëllim dhe dimenzion, në fakt këtë çështje që ishte eskluzivisht marrëdhënie bindjeje, ata e nacionalizuan, dhe në politikën e tyre ai hebre që nuk bëhej synet shpallej pagan, mëkatar, i pafe, profan, i botës etj. Pra çdonjëri që nuk ishte bërë synet sipas atyre ishte pagan, johebre. Sipas hebrenjve bota ndahej në hebre dhe në pagan, ashtu si dikur për grekët që bota ndahej në grekë dhe në barbarë. Keqkuptimi ndaj të krishterëve Qysh me kohë u ishte predikuar ungjilli i Krishtit kombeve të tjera dhe qysh në shekullin e parë pas Krishtit kishte me dhjetëra mijëra të krishterë, madje edhe në Iliri. Atyre nuk u ishte kërkuar që të bëheshin synet si obligim, por u ishte lënë mundësia që të zgjedhnin, por vetëm sa të dinin se synetia dhe mosynetia të nuk të bën më shumë apo më pak besimtar. Andaj të krishterët nuk deshën që t’i imitonin hebrenjtë në asnjë lloj rituali, por ata u bën imitues të zjarrtë të besimit, mësimit dhe doktrinës biblike. Keqkuptimet islame mbi synetinë Myslimanët prej kohës së Muhamedit kanë filluar të bëhen synet, dhe këta morën apo kopjuan në përgjithësi shumë rituale judaike, por u shmangen së besuari doktrinës biblike. Dhe gabimet që bënin hebrenjtë, më vonë gjatë historisë, dhe sidomos prej mesjetës e këtej, myslimanët filluan që të predikojnë se kush nuk bëhet synet nuk është mysliman, dhe kush nuk është mysliman është i pafe, andaj kjo është edhe shtytja kryesore pse në vendet myslimane i jepet kaq shumë rëndësi fetare dhe nacionale synetisë Inkurajimet mjekësore për syneti Zbulimet e fundit mjekësore kanë bërë me dije se rrethprerja është një gjë shumë e dobishme për meshkujt. E para ajo lehtëson një mbajtje shumë më të mirë të higjienesë personale, pastaj ajo nëse bëhet sa më herët tek fëmijët do t’i ndihmohet që mos të përmirret në gjumë, dhe arsyeja e tretë është mbrojtja nga disa infektime si pasojë e marrëdhënieve seksuale. Kush bën synet në Kosovë dhe sa kushton? Në gjithë Kosovën, sidomos gjatë gushtit, do të hasësh në ekipe “xharrahësh” që kanë ardhur nga vende të ndryshme arabe, ka edhe turq. Ata këtë punë vërtet e bëjnë me shumë gëzim, duke marrë foto, inçizime, duke u ofruar para si dhuratë fëmijëve dhe familjarëve, por bashkë me këtë ata “shesin” edhe diçka më shumë, fjala është për përforcimin e traditave dhe manireve arabe për synetinë. Ekipet e huaja që punojnë në Kosovë bëjnë raporte shpeshherë të çuditshme, dhe nganjëherë të rrejshme. Kam hasur në informacione të këtilla, që e kanë sajuar këta “xharrahë” se gjoja shqiptarët e Kosovës gjatë gjithë kohës së komunizmit nuk janë bërë synet, dhe kjo gjendje është propaganduar në qarqet e tyre për tërheqje parash për Kosovë, që kuptohet se përfundojnë në drejtime të gabuara. Prej këtyre ekipeve ka raste kur marrin edhe para, por janë të rralla, kurse “xharrahët” shqiptarë për një syneti marrin, prej 20-60 €. Synetia mund të bëhet edhe nëpër spitalet e Kosovës, dhe për një person kushton 50 €, por nëse i fton mjekët nga spitalet në shtëpi, atëherë ky çmim është më i lirë, deri në 30 €. Kjo është peciada kosovare. Ne jemi evropianë Mendoj se kurrfarë kulture nuk paraqesim me këto zhurma që po i shohim nëpër rrugët tona lidhur me rastet e synetive, dhe po ashtu e ndajmë mendimin se edhe dasmat shqiptare që po i shohim nëpër rrugë duhet ndryshuar urgjentisht në skenar, sepse ne jemi evropianë, jemi një komb, dhe jo një fis, që t’i teket kujtdo të sillet dhe të bëjë çkado madje edhe rrugëve kryesore të kryeqytetit. Kështu që synetitë e ardhshme të bëhen nëpër spitale, nëpër shtëpi, pa çalldisje të madhe, sepse nuk ka nevojë me e marrë vesh gjithë Kosova. Të folurit negativ rreth organeve gjenitale dhe finesa tjera pedagogjike Në popullin tonë, po përdoren aq shumë të shara dhe fjalë banale pikërisht të lidhura me organet gjenitale, dhe kudo dëgjon kështu. Kjo frymë e tillë e të folurit dhe e trajtimit të këtij problemi sjellë një edukatë të ultë mes nesh, një përbuzje, një ofendim, një botëkuptim të gabuar mbi organet gjenitale dhe mbi seksin. Ne dimë për funksionet e organeve gjenitale: fiziologjiteti, seksualiteti, dhe personaliteti. Fillimisht, atëherë kur lind një foshnjë, organet e tij shërbejnë për identifikim të gjinisë. Përdorimi i parë i organeve gjenitale na shërbejnë për identifikim, se kush jemi, çka jemi. Kjo nuk humb as edhe kur ne rritemi, por tash me baza më tepër karakterologjike (etike, sociale, psikologjike, medicionale etj), si: i shenjtë, kurvar, burrë, zonjushë, zonjë, dhëndërr, nuse, grua, zonjë, prostitutë, unuk, impotent, homoseksual, lesbike, biseksual, sterile, steril etj. Gjenitalet prej rolit për identifikim gjinor, pastaj përmes rolit  “të fizioligjitetit” të tyre, “të religjionizimit” të tyre, të “nacionalizimit” të tyre, të erotizimit, arrijnë deri te identifikimi karaktereologjik i individit. Prandaj, kur bisedojmë për organet gjenitale, qoftë në shkollë, në familje apo kudo tjetër, duhet folur me respekt dhe me shenjtëri, me njohje dhe hulumtim, sepse këto organe janë të çmueshme, nga cilado pikëpamje, ashtu si koka, ose syri, goja, dora etj. Dhe synetinë dua me e kuptue si një respect ndaj gjenitaleve. Megjithëse këto organe konisederohen për më të turpshmet në trupin njerëzor, dhe ato çdoherë janë të mbuluara nga ana fizike përmes veshjes sonë, prapëseprapë, me anë të të folurit tonë, shpeshherë të çoroditur, ato karikaturizohen tej mase, nxirren më së shpeshti në dukje, madje edhe më shumë se sa fytyrat tona. Zoti dëshiron bukuri dhe unitet seksual, dhe jo anarki seksuale, jo banalitete, jo egërsi.