Subjekti: Zvicra ndalon librin skandaloz të Del Pontes
Permbajtja: Zvicra ndalon librin skandaloz të Del Pontes për UÇK Ministria e Jashtme e Zvicrës i ndaloi ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte, promovimin e një libri që fliste kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Libri përshkruan masakrat, që sipas del Pontes, janë kryer nga ushtarët e UÇK-së, por Ministria e Jashtme zvicerane u shpreh kundër tij dhe kërkoi "kthimin e menjëhershëm" të Del Pontes në Argjentinë, ku ajo ushtron funksionin e ambasadores. Sipas mediave të Prishtinës, ministria ia ndaloi ish-kryeprokurores së Hagës, promovimin e librit "Ndjekja, unë dhe kriminelët e luftës", që kishte parashikuar ta bënte në Milano, pasi ky promovim "nuk pajtohet me misionin e ambasadores". "Ato që ka shkruar në libër Karla del Ponte dhe promovimi i tyre, nuk pajtohen me funksionin e ambasadores së shtetit zviceran, prandaj i ndalohet urgjentisht promovimi i tij, derisa është përfaqësuese e Konfederatës Zvicerane", - citojnë mediat zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme të Zvicrës, Zhan Filip Zhanera. Ministria e Jashtme e Zvicrës i kërkon Del Pontes, të kthehet shpejt në detyrën e ambasadores në Buenos Aires, në Argjentinë. Libri i masakrave Libri që ish-kryeprokurorja e Hagës ka shkruar në bashkëpunim me Çak Sudetiçin, një reporter i gazetës "Nju Jork Tajms", përmban shumë të pavërteta për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe veç të tjerash, akuzon pjesëtarët e saj se "kanë masakruar më se 300 serbë për t'iu marrë dhe shitur organet e tyre". Në fillim të prillit, Gjykata e Hagës shpalli të pafajshëm Ramush Haradinajn, ish-komandant i UÇK-së për zonën e Dukagjinit dhe ish-kryeministër i Kosovës, si dhe bashkëpunëtorin e tij, Idriz Balaj, ndërsa i akuzuari tjetër, Lahi Brahimaj u dënua me 6 vite burg. Në gjyqin ndaj Haradinajt, të nisur më 5 mars 2007, u zhvilluan rreth 120 ditë seanca, gjatë së cilave pala akuzuese solli në sallën e gjyqit rreth 80 dëshmitarë. Mbrojtja e Haradinajt ka deklaruar se prokuroria nuk mundi të vërtetojë asnjë akuzë dhe nuk e pa të arsyeshme të sjellë dëshmitarë në gjyq, duke besuar se pafajësia ishte siguruar nga dëshmitë e dëshmitarëve të palës së kundërt. Më 30 nëntor 2005, Haga kishte liruar si të pafajshëm edhe dy ish-luftëtarë të UÇK-së, Fatmir Limajn dhe Isak Musliun, duke dënuar me 13 vjet burg Haradin Balajn, me akuzën "për shkelje të zakoneve të luftës". Muajin e kaluar, një shoqatë e serbëve të rrëmbyer në Kosovë deklaroi se do të ngrinte padi gjyqësore kundër Del Pontes, pasi detajet e saj hidhnin dritë mbi fatin e serbëve të zhdukur. Shoqata bëri të ditur se do ta padiste Del Ponten për fshehje të krimeve kundër serbëve të Kosovës. Ndërsa, media kosovare nga ana e saj e ka kritikuar librin dhe ka përgënjeshtruar të gjitha akuzat që ngrihen në të kundër luftëtarëve të UÇK-së.
VIEW FULL VERSION: Link