Jam profesor i mësimit klasor kam përfunduar fakultetin e Mësuesisë, gjithashtu jam në përfundim të studimeve master ne fakultetin filozofik drejtimi Pedagogji e Përgjithshme në Prishtinë.
Pa kaluar ende në agim mesnata na duket si çasti më i bukur i vetmisë sonë të shtrenjtë. Aty ku heqim maskën e dritës. Aty në errësirë strukemi mes vetes dhe ndërlidhim fillin e jetës së shkuar, akrepat e ngadaltë të kohës që shkon, minutat e vjedhura qetësisht për të jetuar çastin pak më shumë. E kalojmë sytë rreth një boshllëku si pikë refernce dhe ai sjell ngadalë ngacmimin dhe trazimin e dëshirave, mendimeve, ambicjeve, thurrrjes së ëndrrave. Gjendemi të vetëm aty, gjithsecili, të rrethuar nga imazhe që vërtiten, dhe herë qeshim me lotët tanë, e herë qajmë. Qajmë për një fjalë të pavend, për një të qeshur pa mend, për një pendim të rremë ose buzëqeshje joreale. E pyesim veten, e thërrasim pambarim, i ulërasim kur ajo s’na dëgjon e i kërkojmë shpjegim, por ajo ulet pranë nesh e na vështron. Befas, na kujton se duhet të vendosim ne për çastin vendimtar për të cilin ajo ka nevojë të shkrihet brenda nesh. Dhe kemi frikë, vazhdojmë shikojmë drejt e në boshllëk dhe trembemi, se gjendemi të vetëm. Humbasim mes një pike të paqartë realizimi e shfaqim moskuptim për jetën në vazhdim. Ndërtojmë brenda fjalosjen e ditës, itenerarin e rrjedhjes së kohës dhe harrojmë të vendosim largësinë e ndërprerjeve për pushim. Kështu që detyrohemi të shprishim përsëri gjumin për ta kthyer në të njëjtën pikëmbërritje. E mendojmë, iluzionojmë, kërkojmë veten brenda nesh, kërkojmë qetësi shpirti brenda shpirtit, i kërkojmë falje zemrës për të qenit egoist. Ndërsa ne vetë falim e falim në një lumë dëshirash pambarim dhe bëhemi objekt mister i ëndrrave të njëlinjta mendimesh. E në një botë kanceroze ne fshehim altruizmin për t’u bërë paradoks i kohës, i mesnatës që na gënjen. Unë, ashtu si ti, strukemi dhe vazhdojmë strukemi brenda vetvetes në një natë pambarim gjersa agon. E atëherë vetëm kur nisin rutinën ditore vetes i shtojmë makiazh për të qenë kllounë të kësaj bote shëmtirë. Vazhdojmë ecim me hapin e kohës, falim e marrim kohë, por kurrësesi s’harrojmë dyfishimin e frikshëm të vetvetes, për t’u mbrojtur nga hasja kolektive. Secili nga ne mban truke dhe artificialitete të ndryshme. Në fund të fundit fiton ai që ka moshën më të bukur.